Bakllava e shpejte

Picture
Përbërësit:
  • 2 vezë të plota e 3 të verdha vezësh,
  • 1 gotë vaj e 1 qumësht,
  • afro 600 gr miell të situr dhe të përzier me1 pluhur paste,
  • 700 gr niseshte,
  • 1/2 kg arra të grimcuara ose të bluara,
  • 1/2 kg gjalpë.
Sherbeti:

  • 2 kg sheqer,
  • 1 lit ujë,
  • lëngu i ½ limonit,
  • 1 sheqer vanileje.
Përgatitja:

Tunden vezët me pirun, shtohet vaji dhe qumështi. Në masën e përzier mirë, shtohet mielli pak nga pak dhe zihet një brumë i butë. Brumi ndahet në 10 pjesë, e pastaj nga çdo pjesë bëhen nga 5 toptha, gjithsej 50 toptha. Çdo topth hapet sa një pjatë e vogël dhe duke e përmillur me niseshte vehen nga 5 petë njëra mbi tjetrën. Pesë petët e bashkuara hapen dhe hollohen duke i përmillur me niseshte, në një petë të hollë dhe të madhe. Njëlloj veprohet me tërë masën e brumit. Nëse dëshirohet bakllava me petë të radhitura, atëherë petët e holluara vihen në tepsi njëra mbi tjetrën,duke i spërkatur me nga një lugë yndyrë. Pasi të hollohen dhe palosen në tepsi gjysma e petëve, vihen arrat dhe shtrihen nga të gjitha anët njëlloj. Hollohen edhe gjysma e petëve të tjera në të njëjtën mënyrë dhe vihen mbi arra. Pritet në formë delimash.
Nëse dëshirohet bakllava me petë të mbështjella në role, atëherë pasi të hollohet peta me 5 kuleç, paloset gjer në gjysmë nga të dyja anët, poshtë dhe lartë. I hidhen arrat në mes në formë shiriti dhe mbështillet sikurse roladë, duke e palosur pjesën e lartë përmbi. Bakllava pritet në delima madhësish të dëshiruara dhe me lugë i hidhet gjalpi i shkrirë. Futet në furrë të nxehtë me temperaturë 170 gradë C për t’u pjekur dalëngadalë për 11/2 orë ose edhe më tepër. Nëse bakllava skuqet mbi që në fillim, ajo mbulohet me letër dhe pjekja vazhdon gjersa të skuqen petët edhe brenda.

Sherbeti:Vlohet uji me sheqer,shtohet ½ limoni i grimcuar dhe lëngu i gjysmë limonit si dhe 1 sheqer vaniljeje. Pasi të largohet sherbeti nga zjarri, shtohet një gotë çaji ujë i ftohtë dhe me sherbet të valë, përvëlohet bakllava e ftohur. Mbulohet gjersa ta pijë sherbetin.

Variant për mbushje:1 kg vishnje të pastruara nga bërthamat sheqerosen pak dhe në shirit vendosen në vend të arrave. Mund t’i hidhen pak arra të bluara, në mënyrë që ato ta thithin lëngun e vishnjeve. Gatuhet dhe piqet në të njëjtën mënyrë sikurse bakllava me arra.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Bakllava feste

Picture
Për një tepsi, nevojiten:
  • 1 kg petë të bakllavasë ,
  • 250 g margarinë ose gjalpë.
Për shtresën e parë nevojiten:

  • 125 g margarinë ,
  • 2 vezë ,
  • gjysmë gote (uji) sheqer ,
  • gjysmë luge bakin.
Të gjitha këto përzihen mirë, pastaj shtohen 8-10 lugë miell të egër. Krejt kjo përzihet mirë, fitohet një masë homogjene dhe lihet anash.

Për shtresën e dytë nevojiten:

  • 300 g arra të bluara ,
  • 2 vezë ,
  • gjysmë gote sheqer ,
  • lëngu i një limoni.
Përzihen mirë dhe lihen anash. Lyhet tepsia me yndyrë.

Petët ndahen në 3 pjesë (nga 10 sosh). Shtrohet pjesa e parë e petëve në tepsi dhe secila stërpiket me pak margarinë (pjesa tjetër e margarinës mbetet për lyerje sipër).

Mbi këto petë qitet shtresa e parë e masës së përgatitur. Shtrihet mirë në gjithë sipërfaqen. Mbi këtë shtresë shtrohet pjesa e dytë e petëve si dhe shtresa e dytë – arrat e parapërgatitura.

Përfundojmë me shtresën e tretë të petëve. Pasi të jetë përvëluar thika, pritet bakllavaja në formë trekëndëshash.

Pastaj i hidhet sipër margarina e shkrirë dhe futet për t’u pjekur kujdesshëm, në temperaturë mesatare. Pasi të piqet, bakllavaja lihet për t’u ftohur mirë.

Sherbeti: 1 kg sheqer, 2-3 gota ujë dhe 3 vanilje. Sapo të vlojë (sheqeri shkrihet mirë), hiqet nga temperatura, që sheqeri të mos trashet. Me këtë sherbet të nxehtë ulet bakllavaja e ftohur.

Shërbehet të nesërmen!